Secondary Adv

Pagesat në euro arrijnë rekord të ri, transfertat u rritën me 30 për qind në janar-prill 2026

Përdorimi i pagesave në euro brenda Shqipërisë ka vijuar rritjen edhe gjatë muajve të parë të vitit 2026, me sistemin AIPS EURO që regjistroi nivelin më të lartë historik të transaksioneve dhe vlerës së transfertave.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës janar-prill 2026 janë realizuar mbi 148 mijë transaksione përmes sistemit AIPS EURO, me një vlerë totale prej rreth 2.3 miliardë euro.

 

Vetëm në muajin prill janë kryer rreth 42.7 mijë transaksione me një vlerë prej afro 733.5 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar deri tani si për numrin ashtu edhe për shumën e transfertave.

 

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i transaksioneve është rritur me 30 për qind, duke reflektuar zgjerimin e përdorimit të pagesave në euro nga bizneset dhe individët.

 

Rritje e vazhdueshme nga muaji në muaj

Të dhënat tregojnë se sistemi ka njohur rritje progresive gjatë gjithë katërmujorit të parë të vitit. Në janar janë realizuar 31.5 mijë transaksione me vlerë 480.9 milionë euro, në shkurt rreth 35 mijë transaksione me vlerë 494.3 milionë euro, ndërsa në mars numri i veprimeve arriti mbi 39 mijë me një vlerë prej 593 milionë euro.

 

Tendenca pozitive vijoi edhe në prill, ku si numri ashtu edhe vlera e transfertave shënuan rekord të ri. Sipas Bankës së Shqipërisë, sistemi po përdoret gjithnjë e më shumë jo vetëm për pagesa me vlera të mëdha, por edhe për transferta më të zakonshme ndërmjet klientëve, duke treguar familjarizimin në rritje të bizneseve dhe individëve me këtë instrument pagesash.

 

Si funksionon sistemi AIPS EURO

Sistemi AIPS EURO mundëson shlyerjen bruto në kohë reale të pagesave në euro brenda territorit të Shqipërisë. Ai nisi funksionimin në vitin 2022, me synimin për të ulur kostot dhe për të përshpejtuar transfertat në euro brenda vendit. Përpara krijimit të këtij sistemi, pagesat në euro realizoheshin përmes bankave korrespondente jashtë vendit, çka sillte kosto më të larta dhe kohë më të gjatë për përpunimin e transfertave.

 

Sistemi përdoret kryesisht nga bizneset për pagesa importesh, kontrata shërbimesh dhe investime në euro, por edhe nga bankat për transfertat në emër të klientëve të tyre. Ndërkohë, sistemi AIPS në lekë vazhdon të përdoret për pagesat me vlerë të madhe në monedhën vendase, si shlyerje detyrimesh mes bankave, pagesa kontratash publike dhe transferta të mëdha biznesi.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat